Tiranë- Gjithë sytë e botës janë sot në Vjenë!
Ngjarja e tmerrshme që ndodhi mbrëmjen e kaluar në rrugët e qytetit shkaktoi tmerr në sytë e të gjithëve, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 15 të tjerë u plagosën.
Liderët politik të vendit tonë kanë shprehur solidaritetin e tyre për familjet e viktimave, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka dënuar me forcë sulmin terrorist në Vjenë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Basha shpreh solidaritetin dhe lutjet e tij për familjet e viktimave.
“Unë dënoj me forcë sulmin terrorist frikacak kundër jetëve të pafajshme në Vjenë. Mendimet dhe lutjet e mia janë me familjet e viktimave. Shqipëria qëndron fort në solidaritet me popullin dhe autoritetet austriake,”- shkruan Basha.
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka reaguar pas sulmit të tmerrshëm. Në një postim në Twitter Meta ka shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave duke shtuar se Shqipëria do të qëndrojë pranë aleatëve austriakë kundër luftës së terrorizmit.
“Lajme të tmerrshme nga Vjena sonte. Mendimet dhe lutjet tona shkojnë për familjet e viktimave dhe njerëzit e Vjenës. Ne qëndrojmë me vendosmëri me aleatët tanë austriakë dhe ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit.”- shkruan Meta.