Tiranë– Ditën e sotme do të mblidhet sërish Kuvendi i Shqipërisë, edhe pse dy ditë më parë u vendos që si pjesë e masave anti-COVID-19, deputetët dhe ministrat nuk do të mblidhen në një afat të pacaktuar.
Disa deputetë kanë kërkuar sot interpelancë me kryeministrin Edi Rama dhe me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, duke bërë që Komiteti Teknik i Ekspertëve të lejojë që Kuvendi të mblidhet sërish.
Në rend dite është parashikuar që Rama do të duhet t’u japë përgjigjie pyetjeve të opozitarit Ralf Gjoni. Një tjetër interpelancë do të zhvillohet mes deputetëve të tjerë dhe ministres së Shëndetësisë lidhur me situatën në vend. Ndërkohë në rendin e ditës është edhe dekreti i presidentit Ilir Meta lidhur me kthimin për rishqyrtim të ligjit “për gjendjen civile”, i cili pritet që të hidhet poshtë nga deputetët.