TIRANË– Sot nis vaksinimi masiv për çdo qytetar mbi 18-vjeç që ka dëshirë të vaksinohet kundër koronavirusit. Çdo person mund të bëjë këtë në çdo qendër shëndetësore në vend, duke nisur nga orët e para të mëngjesit. Ky vendim, u dha nga Ministria e Shëndetësisë pas mbërritjes së 340,000 dozave të vaksinës coronavac, sasia më e madhe e mbërritur në vend njëherësh.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç që të vaksinohet përgjatë këtyre ditëve. Vaksinimi masiv do të zgjasë deri më 25 korrik.
”Në Bicaj të Kukësit, ku ekipet tona shëndetësore po vaksinojnë derë më derë, për të mbrojtur sa më shumë qytetarë nga virusi i rrezikshëm COVID-19. Nga nesër, nis java e vaksinimit të hapur për çdo qytetar +18 vjeç, për t’u vaksinuar pa kufizim, në çdo qendër shëndetësore dhe qendër vaksinimi kudo në vend’, tha Manastirliu.
Në vendin tonë kanë mbërritur deri tani 1,578,790 doza vaksine ndaj COVID19 dhe në total janë kryer 1,052,10 doza, prej tyre 455,131 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës antiCOVID.