Nuk kanë munguar surprizat në debutin sezonal të Formula 1 që zhvillohet në cirkuitin e Bahrejnit.
Lajmi kryesor është rikthimi i fuqishëm i Ferrarit që shënon një triumf të dyfishtë me anë të monegaskut Charles Leclerc, që dominoi nga fillimi garën, i pasuar nga shoku i ekipit Carlos Sainz, diçka që nuk ndodhte nga viti 2010, me Alonso dhe Massa, ndërkohë që kjo është fitorja e parë nga viti 2019 për skuderinë italiane.
Ndërkohë gara e parë e sezonit ishte një dështim total për Red Bull, me kampionin e botës Max Verstappen dhe Sergio Perez që u detyruan të tërhiqen në xhirot e fundit.
Vendin e tretë të podiumit e mori britaniku i Mercedes, Lewis Hamilton, ndërkohë që vlen të theksohet performanca e mirë e Magnussesn me mjetin Haas që ka motor Ferrari, si dhe e kinezit Zhou me Alfa Romeo, që merr pikë në debutin e tij absolut.