Nxënësit dhe studentët në Spanjë, do të kthehen fizikisht në shkolla kur të fillojë mësimi më 10 janar, tha sot ministrja e Shëndetësisë, duke i dhënë fund spekulimeve se infeksionet rekord të COVID-19 mund të rikthejnë mësimin në distancë.
Prej kur u zbulua varianti i ri i koronavirusit, Omicron, rastet janë rritur në Spanjë, duke ngritur shqetësimet se fëmijët nuk do të mund të kthehen në shkollë pas festave të fundvitit. Varianti Omicron përbënte rreth 43 për qind të rasteve në javën para Krishtlindjes, thanë të hënën autoritet spanjolle të shëndetësisë. Megjithatë, zyrtarë nga 17 rajone spanjolle votuan të gjithë në favor të kthimit në klasa të nxënësve.
“Bëhet fjalë për pjesëmarrjen fizike të të gjithë nxënësve dhe studentëve në të gjithë vendin, duke filluar nga 10 janari”, u tha gazetarëve ministrja e Shëndetësisë, Carolina Darias.
Rritja e rasteve të reja në javët e fundit, ka bërë që presioni mbi spitalet në Spanjë të rritet. Më shumë se 90 për qind e spanjollëve mbi 12 vjeç kanë marrë të dy dozat e vaksinës, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të këtij vendi. Derisa më pak se një e treta e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç kanë marrë dozën e tyre të parë kur Spanja filloi të vaksinonte grupmoshat e reja në mesin e muajit dhjetor të vitit 2021.