Agjencia Shëndetësore e Suedisë ka rekomanduar që qytetarët 80 vjeç e më të vjetër të marrin dozën e katërt të vaksinës kundër koronavirusit, me qëllim që të mos bie efektiviteti i vaksinave.
Në rekomandimin e bërë sot nga kjo agjenci thuhet po ashtu se doza e katërt rekomandohet për të gjithë personat që jetojnë në shtëpi të kujdesit apo ata që marrin shërbime asistence në shtëpi.
Doza e katërt, sipas rekomandimit, duhet të administrohet të paktën katër muaj pas dozës përforcuese, tha Agjencia Shëndetësore.
Suedia më herët gjatë këtij viti shënoi shifra rekord të infektimeve, teksa varianti Omicron i koronavirusit është përhapur me shpejtësi në mbarë shtetin.
Por, autoritetet suedeze kanë hequr kufizimet, duke argumentuar se simptomat më të buta nga varianti Omicron dhe fushata e imunizimit me doza përforcuese, kanë ulur presionin ndaj sistemit të kujdesit shëndetësor.
“Doza përforcuese rrit mbrojtjen. Prandaj, ne besojmë se personat 80 vjeç e më të vjetër do të përfitojnë nga një dozë e dytë përforcuese”, tha epidemiologu Anders Tegnell.
Agjencia Shëndetësore suedeze tha se dozat përforcuese duhet të jenë të kompanive Pfizer/BioNTech dhe Moderna.