Ka shkuar në 90 numri i viktimave nga sulmet terroriste në në aeroportin e Kabulit mbrëmjen e djeshme, ndërsa 150 persona kanë mbetur të plagosur. Mes viktimave, të paktën 13 janë ushtarë amerikanë, ndërsa Presidenti i SHBA, Joe Biden është betuar për hakmarrje ndaj sulmuesve, duke thënë ‘do t’ju bëjmë ta paguani”.
Biden konfirmoi në një fjalim mbrëmë nga Shtëpia e Bardhë të enjten se bombardimet u kryen nga Shteti Islamik në Provincën Khorasan.
“Ata që kryen këtë sulm, si dhe kushdo që i bën keq Amerikës, duhet të dinë këtë: Ne nuk do të falim; ne nuk do të harrojmë. Ne do t’ju gjuajmë dhe do t’ju bëjmë të paguani. Unë do të mbroj interesat tona për njerëzit tanë me çdo kusht”, tha Biden.
Biden shtoi se SHBA do të vazhdojë evakuimet e qytetarëve amerikanë dhe aleatëve amerikanë pavarësisht sulmit.
“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët; ne nuk do t’i lejojmë ata të ndalojnë misionin tonë. Ne do të vazhdojmë evakuimet”, shtoi Biden.
Evakuimi i civilëve tani është përshpejtuar pas sulmeve, ndërsa SHBA ka paralajmëruar për të tjera sulme me raketa apo bomba që synojnë aeroportin e Kabulit.
Shpërthimet pasditen e djeshme ndodhën në hyrjen e portës Abbey, ku qindra njerëz ishin grumbulluar me qëllimin për t’u larguar nga Afganistani. Pamjet nga aeroporti i Kabulit ishin tragjike, me njerëz të gjakosur që vraponin për të kërkuar ndihmë. ISIS-K, Shteti Islamik i provincës afgane të Khorasan mori përgjegjësitë për sulmin.
Sulmet ndodhën disa orë pas paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania dhe Australia, që i bënë thirrje më herët qytetarëve të tyre të largohen nga aeroporti i Kabulit, thirrje që nuk u dëgjuan nga jerëzit, mes dëshpërimit për t’u larguar nga duart e talebanëve.