GJERMANI– Koha kalon, por korona vazhdon të shoqërojë dukshëm jetën e njerëzve. Ndërkohë, vaksina e katërt është gati – përforcuesi për vaksinimin përforcues. Deri tani, atë e kanë bërë 6.6 milionë gjermanë, shumica e tyre mbi 60 vjeç. A rekomandohet vaksinimi edhe për publikun e gjerë – dhe nëse po, prej kur?
Kush duhet të vaksinohet?
Mendimet e ekspertëve gjermanë në këtë pikë dallohen. Komisioni i Përhershëm për Vaksinimet (STIKO) deri tani ka vlerësuar se një vaksinim i dytë përforcues është i nevojshëm vetëm për një pjesë të vogël të popullsisë. Ai rekomandon vaksinimin e katërt për pacientët me sistem imunitar të dobët, banorët e shtëpive të përkujdesjes, stafin në objektet mjekësore dhe njerëzit e moshës mbi 70 vjeç.
Nga ana tjetër, Agjencia Evropiane e Medikamenteve (EMA) dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) kanë dalë në favor të një vaksinimi të dytë përforcues nga mosha 60 vjeçare. Kjo për të shmangur valët e mëdha të sëmundjeve dhe mbingarkesën e spitaleve gjatë valës aktuale të verës.
Sipas gjendjes aktuale të njohurive, njerëzit, sistemi imunitar i të cilëve nuk reagoi në mënyrë optimale ndaj tre vaksinimeve të para, mund të përfitojnë veçanërisht nga një vaksinim i katërt. Ky vlen veçanërisht për të moshuarit dhe njerëzit me imunitet të dobësuar. Një test gjaku mund të ndihmojë në vlerësimin e mbrojtjes imune. Por deri tani vetëm pak njerëz tregojnë një përgjigje shumë të dobët imune, vëren Andreas Radbruch nga Qendra Gjermane për Kërkimin e Reumatizmës në Berlin. Për njerëzit që reaguan mirë ndaj tre vaksinave të para, sipas tij, vaksinimi i katërt nuk do të ishte vërtet i nevojshëm.
Ministri Federal i Shëndetësisë, Karl Lauterbach sugjeron që të rriturit nën moshën 60 vjeç të bëjnë një vaksinë të katërt në raste të caktuara. Ai u rekomandon të rinjve që të kontaktojnë mjekun e tyre të përgjithshëm për vaksinimin e katërt. Ai njeh shumë mjekë të përgjithshëm, të cilët më pas do të merrnin një vendim individual. Për personat nën 60 vjeç, vaksinimi i katërt mund të jetë i dobishëm në disa raste, veçanërisht kur ata kanë “shumë kontakte”.
Kur duhet të vaksinoheni?
Ashtu si vaksinimi i tretë, vaksinimi i katërt duhet të bëhet në një distancë të konsiderueshme nga vaksinimi i mëparshëm ose sëmundja korona – idealisht jo më pak se gjashtë muaj pas. Sipas STIKO-s, pacientët në rrezik megjithatë mund të vaksinohen më herët. Te ata, mbrojtja nga vaksinat në përgjithësi ulet më shpejt. Megjithatë, sipas rekomandimit, duhet të kenë kaluar të paktën tre muaj nga vaksinimi i tretë.
Kjo pauzë është e nevojshme sepse maturimi optimal i qelizave imune kërkon kohë. Përveç kësaj, qelizat e memories të formuara më parë duhet të riaktivizohen, shpjegon Christian Bogdan, specialist i imunologjisë infektive dhe anëtar i STIKO.
Cilat janë efektet anësore të një vaksinimi të katërt?
Vaksinimi i tretë, pra përforcuesi i parë, paraqet në studim efekte anësore të krahasueshme me ato të imunizimit bazë. Prandaj, ekspertët supozojnë se as me vaksinimin e katërt nuk duhet të pritet një rritje e efekteve anësore. Por deri tani ka pak të dhëna për këtë. Studimet e hershme në Izrael, megjithatë, tregojnë se vaksinimi i katërt përgjithësisht tolerohet mirë. Që nga fillimi i vitit aty ai u ofrohet personave mbi 60 vjeç.
Por edhe nëse tolerohet mirë, vendimi për t’u vaksinuar për herë të katërt duhet të merret duke marrë parasysh rreziqet dhe përfitimet – veçanërisht te të rinjtë, tek të cilët mbrojtja që ofron vaksinimi i katërt nuk është ende e qartë.
A ia vlen të presësh një vaksinë të përshtatur për të vaksinuar për herë të katërt?
Vaksinat aktuale të koronas tregojnë mbrojtje më të dobët kundër variantit Omikron të virusit në krahasim me variantin e mëparshëm Delta. Një vaksinë e përshtatur me Omikronin mund të mbushë këtë boshllëk.
Prodhuesit Moderna dhe BioNTech-Pfizer tregojnë se vaksinat e tyre të përshtatura mRNA japin rezultate të mira të efikasitetit kundër Omikronit në fazën e testimit. Problemi: deri tani, efektiviteti i vaksinave është matur vetëm në bazë të niveleve të antitrupave në gjak dhe jo bazuar në infektimin aktual midis atyre të testuar, siç kërkohet nga zyrtarët e certifikimit të studimeve. Është e paqartë se kur do të hidhen në treg vaksinat e përshtatshme.
Për më tepër, virusi vazhdon të evoluojë. Moderna dhe Biontech-Pfizer po punojnë për përshtatjen e vaksinës me variantin origjinal të Omikronit. Aktualisht, megjithatë, një variant tjetër, përkatësisht Omikron BA.5, dominon në rrjedhën e infektimeve. Kjo është arsyeja pse shumë ekspertë dyshojnë në vlerën e shtuar të vaksinave të përshtatura për shoqërinë në përgjithësi, të paktën në lidhje me situatën aktuale infektive. Prandaj nuk është ende e mundur të dihet se deri në çfarë mase vaksinat e përshtatura do të mbrojnë kundër variantit që do të mbizotërojë më pas në momentin e autorizimit të tyre.
Sa e gjatë është mbrojtja nga tri vaksinat?
Studimet e para tregojnë se mbrojtja nga vaksina gjithashtu zvogëlohet pas vaksinimit të tretë në javët dhe muajt në vijim. Por ajo mbetet e lartë pavarësisht: një studim amerikan tregon se mbrojtja nga shtrimi në spital dy muaj pas vaksinimit të tretë është 91 përqind – pas katër muajsh ishte ende 78 përqind. Të dyja shifrat janë shumë mbi vlerën e pragut prej 50 për qind të vendosur nga EMA për autorizim. Prandaj, shumë ekspertë besojnë se tre vaksina te njerëzit me një sistem imunitar të shëndetshëm janë të mjaftueshme për të ndërtuar një kujtesë të qëndrueshme imunologjike kundër SARS-CoV-2 dhe varianteve të mëparshme.
Të treja vaksinat mund të mbrojnë kundër sëmundjeve të rënda dhe vdekjes për një kohë të gjatë, por nuk munden të mbrojnë gjithmonë nga një infektim, thotë Radbruch./DW/