Talebanët kanë urdhëruar, së fundmi, që manekinëve në dyqanet e rrobave “t’u pritet koka”, sepse mund të shihen si modele dhe “idhuj” nga gratë dhe vajzat, ndaj të cilave vazhdon mohimi i të drejtave dhe lirive.
Dyqanxhinjve në provincën perëndimore të Heratit në Afganistan, u është thënë t’u heqin kokat manekinëve, duke i konsideruar “idhuj mëkatarë”. Adhurimi i idhujve përbën mëkat në fenë Islame, ku ndalohet adhurimi i një sendi apo dikujt tjetër përveç Allahut – që konsiderohet si i vetmi Zot.
Vendimi është marrë nga Ministria për “Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve”, që është edhe institucioni përgjegjës për interpretimin e rreptë të Islamit nga Talebanët. Fillimisht, urdhri ishte që shitësit t’i hiqnin manekinët nga dyqanet e tyre, por pronarët reaguan duke thënë se kjo do të shkaktonte humbje të konsiderueshme financiare për ta. Ky reagim bëri që ministri Sheikh Aziz-u-Rahman, të merrte një vendim më të rreptë, duke urdhëruar prerjen e kokave të manekinëve.