Fotografia e parë me ngjyrë të plota nga nga teleskopi i ri hapësinor James Webb nuk zhgënjeu. Imazhi i cili u zbulua nga presidenti Joe Biden, është pamja më e detajuar me rreze infra të kuqe e Universit deri më sot, që përmban dritën nga galaktikat që u deshën shumë miliarda vjet për të arritur tek ne.
“Këto imazhe do t’i kujtojnë botës se Amerika mund të bëjë gjëra të mëdha dhe do t’i kujtojnë popullit amerikan – veçanërisht fëmijëve tanë – se nuk ka asgjë përtej kapacitetit tonë”,- vuri në dukje Presidenti Biden.
Administratori i NASA-s, Bill Nelson, tha se pjesa e dukshme e universit për njerëzit është si të mbash një grimcë rërë në të gjithë gjatësinë e dorës.
“Drita udhëton me 186,000 milje në sekondë, dhe ajo dritë që po shihni në një nga ato njolla të vogla ka udhëtuar për më shumë se 13 miliardë vjet. Ka një gjë tjetër që do të gjeni me këtë teleskop. për të qenë të saktë, do të shihni nëse janë apo jo planetë – do të arrijmë të përcaktojmë nëse ata planetë janë të banueshëm. Ne do të jemi në gjendje t’u përgjigjemi pyetjeve që ende nuk i kemi formuluar. Kjo është ajo që po ndodh.”
Teleskopi Hapësinor James Webb (JWST) prej 10 miliardë dollarësh, i nisur më 25 dhjetor të vitit të kaluar, është cilësuar si pasardhësi i teleskopit të famshëm hapësinor Hubble.
Ai do të bëjë të gjitha llojet e vëzhgimeve të qiellit, por ka dy qëllime kryesore. Njëra është të bëjë fotografi të yjeve të parë që shkëlqenin në Univers më shumë se 13.5 miliardë vjet më parë; tjetra është të hetohen planetët e largët për të parë nëse mund të jenë të banueshëm.
Imazhi i zbuluar përpara Presidentit Biden tregoi aftësitë e Webb për të ndjekur të parën nga këto objektiva.