Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për tensionet në Veri të Kosovës duke e cilësuar përshkallëzimin krejtësisht të paarsyeshëm. Teksa mbështeti vendimin e Albin Kurtit për të dëgjuar aleatët dhe për të shtyrë zbatimin e aplikimit të reciprocitetit të targave dhe mjeteve të identifikimit për shtetasit serb, Rama bëri thirrje publike për presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe autoriteteve të Beogradit që të mos justifikojnë veprimet e grupeve serbe.
“Të mos ushqejnë me asnjë lloj justifikimi apo alibie grupe të caktuara në veriun e Kosovës që për arsyet e tyre i kundërvihen zbatimit të një marrëveshje”, ishte thirrja e Ramës për bllokadat në veri të Kosovës që detyruan autoritetet të mbyllnin dy pikëkalime. Qëndrimin për tensionet në veri të Kosovës, Rama e dha gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin e Spanjës, Pedro Sanchez.