Fier- Një dyqan celularësh në Fier është tentuar që të grabitet.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 06:10, në lagjen “Kongresi i Përmetit”. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se tre persona të paidentifikuar kanë tentuar për të vjedhur dyqanin e celularëve në pronësi të shtetasit R. C. Gjatë tentativës për të kryer vjedhjen autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë, i cili po shkonte për të marrë shërbimin në zonën policore.
Punonjës i Policisë ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre mjetin privat të punonjësit të policisë.
Në vendngjarje janë fiksuar prova materiale të lëna nga autorët të cilat do të shërbejnë në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e kapjen e autorëve. Gazetari Ervis Kuçi ka siguruar për ‘BalkanWeb’ pamjet nga dyqani ne fjale, ku shihen edhe demet e shkaktuara.
Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.