Durrës- Një 67-vjeçar i cili tentoi të fuste drogë në burgun e Durrësit u arrestua nga policia.
Burime bëjnë me dije se personi M. N., 67 vjeç, banues në Durrës, ka rënë në prangat e policisë pas kontrollit që u bë në pakot me ushqime që ai kishte sjellë në burg, në të cilat u sekuestruan 2 doza me lëndë narkotike të vendosura aty pa dijeninë e personit për të cilin ishin dërguar.
Njoftimi
Tentoi të fuste lëndë narkotike në ambientet e IEVP Durrës, arrestohet në flagrancë nga Policia.
Sekuestrohen 4 doza me lëndë narkotike.
Më datë 17.02.2021 është paraqitur në ambientet e IEVP Durrës, shtetasi K. R., për të futur disa produkte ushqimore për djalin e tij, i cili ndodhet në paraburgim në ambientet e IEVP Durrës. Gjatë kontrollit në pakon me produkte ushqimore janë gjetur dhe sekuestruar 2 doza me lëndë narkotike heroinë dhe 2 doza me lëndë narkotike canabis sativa, të cilat ishin vendosur nga shtetasi M. N., (i njohur i tyre), pa dijeninë e shtetasit K. R.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin M. N., 67 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.