TIRANË– Ilir Pica, efektivi i Policisë Rrugore Mat është kërcënuar me jetën e tij dhe të familjarëve. Mësohet se vetë efektivi ka bërë kallëzim në Policinë e Shtetit ku ka denoncuar se persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri drejt shtëpisë së tij. Ngjarja, sipas Picës ka ndodhur më datë 27 tetor, në afërsi të Kthesës së Kamzës në Tiranë, ku edhe jeton efektivi. Nga ana e Policisë së Shtetit nuk ka ende asnjë informacion zyrtar në lidhje me këtë ngjarje.
Si pasojë e të shtënave nuk ka pasur persona të lënduar dhe as dëme materiale, por familja e efektivit është terrorizuar dhe ndihet e kërcënuar për jetën.
Nuk dihen ende shkaqet që kanë çuar autorët në banesën e Picës për të qëlluar me armë, por dyshohet se bëhet fjalë për ndonjë konflikt për shkak të detyrës. Vetë Pica nuk ka dhënë asnjë pistë orientimi, pasi është shprehur se nuk ka pasur konflikte me askënd.