Derbi i Shqipërisë Tirana-Vllaznia në volejboll, i vlefshëm për ‘play-offet’ e gjysmëfinales’, është fituar pastër 3-0 me sete nga bardheblutë. Në dy setet e para kryeqytetasit patën dominim absolut, por pavarësisht kësaj trajneri Sako është i pakënaqur.
“Në ndeshjet e tjera nuk do jetë kjo Tiranë që performoi sot. Do jetë një Tiranë shumë agresive, shumë fituese dhe shumë e etur për trofe,”-deklaroi Arben Sako, trajner i Tiranës. Ndërkohë në kampin shkodran janë të bindur se mund ta përmbysin rezultatin të premten kur të luhet gjysmfinalja e kthimit. “Pashë një rënie loje te Tirana në setin e tretë. Shumë gabime bënë në këtë set, por ne nuk arritëm të mbajmë ritmin e duhur. Shpresoj që në Shkodër të lozim më mirë,”-tha Artan Kalaja, trajner i Vllaznisë.
Ndërkohë gjysmëfinalja tjetër ‘playoff’ mes Partizanit dhe Erzenit është fituar nga të kuqtë 3-1 me sete.