Partia Demokratike i është kundërpërgjigjur videos të kreut të qeverisë, Edi Rama, në të cilën ai prezanton ndryshimet që ka bërë në landfillin e Sharrës, duke akuzuar kreret e opozitës. Me një mesazh në rrjetet sociale, Shefi i Kabinetit në PD, Dorjan Teliti, komentoi videon e kryeministrit Rama:
“I ikën llogaridhënies duke u fshehur pas videove 3D
Edhe sot ER, u paraqiti shqiptarëve një video 3D në vend, siç bën për çdo rrugë, port apo aeroport që u servir shqiptarëve. Pasi ka dhënë 25 milion euro vetëm për inceneratorin e Tiranës dhe inceneratori nuk duket gjëkundi, ER ka bërë gati për të paguar Klodian Zotos dhe mafias së inceneratorëve pas tij 430 milion euro të tjera nga paratë publike. Si premio sipër kësaj, i ka dhënë edhe monopolin e mbetjeve të ngurta të Tiranës, duke falimentuar industrinë e riciklimit.
Por Tirana e Edi Ramës dhe Erion Veliajt vazhdon të qelbet në plehra dhe qytetarët e shohin përditë me sytë e tyre këtë të vërtetë. Pas 8 vitesh në pushtet qëndror dhe pas 6 vitesh që kontrollojnë bashkinë e Tiranës, dyshja Rama-Veliaj kanë zgjedhur që t’i ikin llogaridhënies për dështimin në menaxhimin e mbetjeve duke u shfaqur një video 3D të premtimit të rremë të radhës.
Premtimi dhe angazhimi i tyre i vërtetë është kontrata që kanë me Klodian Zoton për t’i zhvatur taksave të shqiptarëve rreth 500 milion euro.”