Gjykata Penale e Tiranës e rrëzoi kërkesën e Tire Alldervishit, ish-punonjësja e spitalit ‘Shefqet Ndroqi”, për zëvendësim të masës së “arrestit me burg”, për një masë më të butë.
Tire Alldervishi, u arrestua pas denoncimit që bëri vajza e një pacienteje e cila disa ditë pasi ishte shtruar tek COVID2, humbi jetën.
Por gjatë ditëve kur ajo ishte e shtruar në spital, për shkak të infektimit me koronavirus, sanitarja i kishte zhvatur vajzës së saj një shumë prej 8 milionë lekësh duke u hequr si infermiere.
Më 11 mars, Gjykata e Apelit liroi nga burgu dy infermieret e spitalit Shefqet Ndroqi, Sheqerije Koçi dhe Mira Bushi të akuzuara si bashkëpunëtore të Tire Alldervishit.
Ndaj tyre u vendos masa ‘detyrim paraqitje’. Po kështu Apeli liroi më herët dhe një sanitare dhe infermiere, të spitalit “Shefqet Ndroqi”, më konkretisht infermieren Sidorela Kola dhe sanitaren Rukie Hoxha.