Në arkivat e harruara të Polonisë, është zbuluar së fundmi një koleksion me vizatime të bëra nga fëmijët, ku reflektohen tmerret që ata kanë përjetuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Të realizuara në vitin 1946, vetëm një vit pas përfundimit të luftës, ilustrimet me laps dhe shkumësa me ngjyra, tregojnë forcat pushtuese të Gjermanisë naziste duke vrarë familje, duke kryer varje publike, duke ekzekutuar civilë dhe duke internuar njerëz në kampet e vdekjes.
“Kur filloi lufta, ata pushuan së qeni fëmijë dhe u bënë dëshmitarë të luftës, terrorit dhe dhunës. Këto vizatime janë autentike, fëmijët nuk përdorin filtër, nuk ndryshojnë fakte apo nuk shtrembërojnë gjërat, ata kanë vizatuar atë që kanë parë. Fëmijët panë se çfarë ishte frika, e cila erdhi me sulmet e para ajrore. Që nga 1 shtatori 1939, në vend që të dëgjonin zilen e shkollës, ata dëgjuan zhurmën e plumbave, britmat e të plagosurve dhe rënkimet e të vdekurve”, tha Ewa Kołomańska, një nga zbuluesit e këtij koleksioni.
Krijuar si pjesë e një projekti shkollor mbarëkombëtar të pasluftës, fëmijëve polakë të moshës 8 deri në 13 vjeç iu dha një listë me tema dhe iu kërkua të shkruanin ose vizatonin kujtimet e tyre për to. Temat përfshinin momentin që ata mbanin mend më mirë nga pushtimi dhe vrasjet gjermane, si dhe çfarë kuptimi kishin varret masive për ta.