Gjirokastër- Një 43- vjeçar është arrestuar nga policia e Gjirokastrës pasi transportonte 6 emigrantë të jashtëligjshëm.
Policia ka vendosur në pranga E.T, banues në Tiranë, në afërsi të fshatit Glinë, duke transportuar drejt Tiranë 6 emigrantë me makinën tip “Mercedez Benz”.
Njoftimi i policisë
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Muzgu 6”. Operacioni nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 43-vjeçari. Sekuestrohet një automjet. Seksioni i Hetimit të Trafiqeve në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, ka organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Muzgu 6”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., 43 vjeç, banues në Tiranë. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër do të transportoheshin emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe kanë bërë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit E. T., i cili u kap në afërsi të fshatit Glinë, duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Mercedez Benz”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.