Të dhënat e Autoritetit të Konkurrencës tregojnë se tregu me shumicë i GLN është edhe më i përqendruar se importi i karburanteve dhe dominohet nga kompanitë TENET, A&V Gas dhe Kevin Gaz.
Për më tepër, tregtimi i gazit ka një integrim vertikal të subjekteve, çka nënkupton se të njëjtat ndërmarrje dhe individë që kontrollojnë infrasturkturën e ngarkim-shkarkimit, janë të pranishëm edhe në nivel të importit, tregtimit me shumicë dhe tregtimit me pakicë.
Më konkretisht, aksioneri i kompanisë koncesionare të Porto Romanos, Romano Port (Piro Bare), ka një pjesë të lartë në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të GLN, përmes kompanive A&v Gas dhe AV Distribution.
Aksioneri i portit tjetër të hidrokarbureve në Porto Romano, MBM, (Shefqet Kastrati) është njëkohësisht bashkëpronar në kompaninë e shitjes me shumicë të gazit TENET, si edhe është i pranishëm edhe në tregun e pakicës me ndërmarrjen Kastrati Gas Tech. Porti MBM ka të drejtën ekskluzive për përdorimin e portit dhe zotërimin e lirë të zonës, për ofrimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20 mijë tonë për një periudhe prej 35 vjetësh.
Pronari i Kevin Gas, ndërmarrjes së tretë dominuese në tregun e importit të gazit (Gjergj Lekaj), shfrytëzon me qira të gjithë kapacitetin depozitues në GLN në portin tjetër të hidrokarbureve, atë Vlorës.
Nga analiza e strukturës së tregut të importit të GLN vërehet se për vitin 2019 ndërmarrja me pjesën më të lartë të tregut prej 34.8% është ndërmarrja TENET, ndërmarrja A&V Gas zotëron pjesën prej 32.1% të tregut, ndërsa Kevin Gas zotëron pjesën prej 25.4% të tregut.
Duke parë shkallën e lartë të përqendrimit të tregut dhe integrimin vertikal të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e GLN, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të hapë hetim të thelluar në tregun e tregun e ngarkim- shkarkimit, importit, depozitimit dhe shitjes me shumicë të GLN. Gjatë procedurës së inspektimit nuk u gjetën evidenca direkte për të vërtetuar
ekzistencën e një marrëveshje të ndaluar midis ndërmarrjeve. Megjithatë, nga rezultatet e hetimit paraprak, u konstatua se në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të GLN-së ka shenja të një sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje. Hetimi paraprak tregoi se ndërmarrjet kryesore importuese A&V Gas dhe Kevin Gas kanë aplikuar çmime të përafërta, ndërsa ndërmarrja TENET, ka aplikuar çmime më të larta.
Hetim edhe për karburantet
Më herët, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi do të hetojë sërish tregun e karburanteve në vend. Në fund të muajit tetor, Autoriteti i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve. Hetimi do të përfshijë periudhën tetor 2017-tetor 2020 dhe synon të mbledhë shenja të mundshme të kufizimit të konkurrencës në tregjet e mësipërme./ Monitor.al