Donald Trump bëri daljen e tij të parë për zgjedhjet, disa ditë pasi rivali i tij Joe Biden është projektuar si fitues nga mediat amerikane. Mesazhin e parë e bëri për koronavirusin.
“Kjo administratë nuk do të çojë vendin në një bllokim… çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen. Kush e di se cila administratë do të jetë? Unë mendoj se koha do ta tregojë, por unë mund t’ju them se me këtë administratë nuk do të shkojmë në një bllokim”.
Një tjetër koment ishte për vaksinën.
“Asnjë arritje mjekësore e këtij qëllimi ose e kësaj madhësie nuk është arritur kurrë kaq shpejt,” – tha ai duke i dhënë merita administratës së tij për zhvillimin e vaksinës.
Ai tha se do të autorizonte vaksinën për përdorim emergjent. Në fillim të këtij muaji, gjiganti i ilaçeve Pfizer njoftoi rezultatet e vaksinës së saj që treguan 90% efektivitet kundër virusit, sipas analizave të hershme.
Trump përsëri iu referua Covid-19 si “virusi i Kinës’ – diçka që e ka përsëritur vazhdimisht që nga fillimi i pandemisë.
Deri më tani ai ka refuzuar të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Në Twitter ka bërë komente të shumta ndërsa në daljen para mediave nuk u ndal te kjo temë duke ia kushtuar vëmendjen covid.