Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sinjalizuar se ai mund të mos e fitojë Shtëpinë e Bardhë, por e nuk pranoi humbjen, derisa epërsia e pakapërcyeshme e demokratit, Joe Biden, u zgjerua dhe republikanët pësuan më shumë pengesa në sfidat e gjyqësore në tre shtete.
Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, më 13 nëntor, për vaksinat kundër koronavirusit, Trump përsëriti zotimin për të mos vendosur masën e izolimit.
“Kjo administratë nuk do të vendosë një bllokim. Shpresojmë, çfarëdo që të ndodhë në të ardhmen, kush e di se cila administratë do të jetë, mendoj se koha do ta tregojë. Por unë mund t’ju them, kjo administratë nuk do të vendosë një izolim”, tha Trump.
Presidenti Trump ka njoftuar se vaksinat ndaj koronavirusit do të jenë në dispozicion gjerësisht deri në prill të 2021-ës.
Numri i të infektuarve me koronavirusin e ri po rritet në Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja shënoi më shumë se 150,000 të infektuar më 13 nëntor. Numri i njerëzve që janë të shtruar në spital me COVID-19 është dyfishuar në dy javët e fundit në 66,000.