Janë zbardhur detaje shtesë për trupin e dekompozuar që u gjet dy ditë më parë në Kolonjë. Sherif Mukaj, trupi i të cilit u gjet i dekompozuar më 11 qershor 2022 në vendin e quajtur “Hau i Kreshovës”, në malin Gramoz, Kolonjë është vrarë me plumb në kokë. Sipas policisë, në kafkën e viktimës u konstatua një vrimë tejshpuese që mund të jetë shkaktuar nga përdorimi i armës së zjarrit, gjë që ngre dyshimet se bëhet fjalë për një vrasje. Mukja rezultonte i larguar nga banesa që pas kallëzimit të bërë nga babai i tij, më datë 10.11.2021, pranë Komisariatit të Policisë Kolonjë.
Familjarët e tij, të cilët jetonin prej vitesh në Amerikë, u kthyen në Shqipëri në kërkim të tij. Ata thanë para ca muajsh se para se të zhdukej, 29 vjeçari kishte lënë makinën dhe sendet e tij personale dhe se nuk kanë asnjë lloj dyshimi që lidhet me zhdukjen e tij të papritur.