Tiranë- I riu nuk u paraqit në sallën e gjyqit pasi u arratis mëngjesin e sotëm nga Komisariati numër 1 në Tiranë. Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Rigers (Rilian) Lalën, për akuzën “armëbajtje pa leje”, në mungesë të këtij të fundit.
30-vjeçari u arrestua dy ditë më parë në zonën e “Ali Demit” në kryeqytet, nga forcat “Shigjeta”. I riu u kap duke qarkulluar me armë zjarri pa leje. Policia në një komunikatë zyrtare sqaroi arrestimin e të riut, ku sipas bluve Lala u lokalizua pas bashkëpunimit me qytetarët dhe u arrestua në flagrancë.
Njoftimi i policisë për arrestimin:
Qarkullonte me armë zjarri me vete, por falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, Policia lokalizon dhe vë në pranga 30-vjeçarin.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë.
Si rezultat i rritjes së besimit të qytetarëve tek Policia, është marrë informacion se një i ri po qarkullonte me armë zjarri në zonën e Ali Demit.
Menjeherë u organizuan shërbimet e Policisë për lokalizimin dhe kapjen e personit.
Si rezultat i reagimit të menjëhershëm , shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.1, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shigjetat”, bënë të mundur që në lagjen “Ali Demi” të lokalizonin personin e dyshuar, i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet me vrap, por gjatë ndjekjes është kapur dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R.L., 30 vjeç, dhe materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.