ITALI– Një 39-vjeçar me kombësi shqiptare u arrestua pasi akuzohet si i dyshuari kryesor për vrasjen e të riut Santino Xhyra, i cili u qëllua dje për vdekje me armë zjarri. Mediat italiane bëjnë me dije se bëhet fjalë për 39-vjeçarin Shaban Fejza, i cili u identifikua falë deklaratave të dëshmitarëve okularë dhe fqinjëve të viktimës.
Fejza kërkonte që të merrte me qera banesës në të cilën Xhyra jetonte bashkë me një mikun e tij. Por pronari, identiteti i të cilit nuk është bërë me dije, nuk pranoi me pretendimin se të rinjtë shqiptarë nuk i kishin dhënë qeranë. Me kushtin që do ta linte të jetonte në banesën e tij, pronari i kishte kërkuar Fejzës që ta ndihmonte të merrte pas ato çfarë të rinjtë u detyroheshin.
Fejza dhe pronari i banesës u përballën me dy të rinjtë. Në debat e sipër 39-vjeçari e qëlloi me shuplakë të riun, duke nxehur kështu edhe përplasjen. Pas një grushi që mori nga viktima, Fejza nuk duroi dot më dhe shkoi në shtëpi për të marrë armën e zjarrit. Me të cilën më pas qëlloi për vdekje të riun.
Disa vite më parë, më 29 gusht 2014, në të njëjtën zonë, një shtetas tjetër shqiptar Florian Mesuti u vra pasi ishte përfshirë për të shuar një mosmarrëveshje midis një të mituri nga Bari dhe një tjetër shqiptari.