Një vrasje me armë zjarri raportohet se ka ndodhur në fshatin Sheq në Fier, paraditen e sotme. I vrarë ka ngelur një person, i identifikuar si Shkëlzen Kastrati.
Paraprakisht mësohet se viktima ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij, tip benz ML, kur i është prerë rruga dhe është qëlluar me breshëri plumbash. Shkëlzen Kastrati, viktima e atentatit të rëndë që ka tronditur qytetin e Fierit paraditen e të hënës, po kalonte në qendër të fshatit Sheq, kur një person i ka prerë rrugën, në afërsi të Rotondos, pranë tregut dhe e ka qëlluar me breshëri. Kastrati ka humbur në këtë moment kontrolin e automjetit, dhe është përplasur me një makinë tjetër tip Benz. Ai ka ndërruar jetë në vend, ndërsa drejtuesi tjetër i automjetit ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ngjallur panik dhe kaos mes banorëve të cilët janë shokuar nga të shtënat dhe aksidenti.
Trupi i tij i pajetë ndodhet ende në makinën e dalë nga rruga pas të shtënave, pasi viktima ka humbur kontrollin e automjetit. Ndërkohë që Policia ka ngritur disa pika kontrolli hyrëse dhe dalëse për zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Kastrati dyshohet se është ekzekutuar për hakmarrje. Viktima është me origjinë nga Kukësi dhe ka kaluar për çështje pune në Fier.