KINË- Hetuesit kanë analizuar rrëzimin e avionit ‘Boeing 737’ që u rrëzua në Kinë më 21 Mars. Të dhënat tregojnë se avioni ishte përplasur qëllimisht.
Sipas mediave të huaja, kjo u zbulua nga “Wall Street Journal” në një artikull ku citon burime të qeverisë amerikane e cila ishte vënë në dijeni pas analizimit të të dhënave që dolën nga kutia e vetme e zezë e gjetur në vendin e fatkeqësisë. Në bordin e avionit, ekuipazh dhe pasagjerë ishin 132 persona nga të cilët asnjë nuk mbijetoi.
“Aeroplani është komanduar nga dikush në kabinë”,-shpjegon një nga burimet.
Autoritetet kineze të ngarkuara me kryerjen e hetimeve deri më tani nuk kanë gjetur asnjë problem mekanik apo elektronik që mund të shkaktonte përplasjen. Avioni konsiderohej si një nga modelet më të avancuara të industrisë globale të aviacionit civil sa i përket sigurisë.
Sipas gazetës amerikane, hetuesit amerikanë e kanë përqendruar vëmendjen në veprimet e një prej pilotëve, pa përjashtuar mundësinë që dikush të ketë hyrë në kabinë dhe të ketë shkaktuar qëllimisht rrëzimin. Amerikanët thonë se nuk kanë pasur aksesin e duhur në informacione nga homologët kinezë.