Rëndohet situata e përmbytjeve në Shkodër. Uji ka vërshuar nëpër banesa në nivel të lartë saqë është bërë e pamundur për familjarët që të qëndrojnë brenda.
Siç shihet dhe nga pamjet e Report Tv, ky është momenti kur disa familje shtëpitë e të cilave janë mbushur me ujë, shpëtohen.
Situata e përmbytjeve paraqitet e rënduar në disa zona, por më problematike mbetet Shkodra.
Forcat e Armatosura kanë shtuar praninë në terren për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur dhe pushtetit lokal për të përballuar situatën.
Trupat dhe mjetet e batalionit të i të këmbësorisë së Vaut të Dejës (b1k) evakuuan 2 familje në lagjen “Iliria” të qytetit të Shkodrës, të cilat u transportuan për t’u strehuar në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Gjithashtu, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 150 krerë bagëti e imët nga lagjja e njohur si Livadhet pranë bregut të liqenit në qytetin e Shkodrës.
Në njësinë administrative Dajç, trupat dhe mjetet e b1k evakuuan rreth 2000 shpendë nga një fermë private, për t’i dërguar në fshatin Shirq.
Në fshatin Obot të njësisë administrative Ana e Malit vijon transporti i banorëve për nevojat e tyre të përditshme nëpërmjet mjeteve lundruese të batalionit të mbështetjes rajonale (BMR) dhe mjeteve të kalueshmërisë së lartë të b1k.
BMR ka angazhuar në bashkinë e Shkodrës 7 mjete lundruese, të cilat mundësojnë lëvizjen e banorëve dhe janë në gatishmëri për çdo evakuim të mundshëm.
Zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Emergjencave Civile Haki Çako dhe prefektja e qarkut Majlinda Angoni po ndjek situatën në zonat e përmbytura në bashkinë e Shkodrës.
Në gjithë qarkun e Shkodrës janë 5030 ha sipërfaqe totale e përmbytur, ndërkohë që ka prani të ujit në disa banesa në lagjet e qytetit dhe në njësitë Ana e Malit dhe Dajç.