Britania e Madhe po vijon vaksinimin e popullsisë me ritme të shpejta, ndërsa pritet që gjatë majit të nisë hapja e disa bizneseve që aktualisht janë të mbyllura. Në një intervistë me Juli Xhokaxhinë në ABC, mjeku shqiptar në Londër, Adrian Fandi tregoi se numri i të shtruarve në spitale është drejt rënies.
Por, procesi i vaksinimit apo masat e rrepta shtrënguese i kanë meritat për uljen e shifrave në Britaninë e Madhe? Sipas Fandit, 90 për qind të rolit e luajnë vaksinat, ndërsa 10 përqindëshi i mbetur mund t’i atribuohet masave shtrënguese.
Në Britani pjesa më e madhe e të vaksinuarve kanë marrë vetëm dozën e parë, dhe kjo sipas mjekut ndikon pozitivisht në uljen e fataliteteve. Por gjithsesi, theksoi ai, doza e dytë është më se e nevojshme.