Dy persona të infektuar me koronavirus në vendin tonë janë bartës të variantit “Omicron”. Lajmin e ka dhënë kryetarja e Komitetit të Ekspertëve Mira Rakacolli. Prezencën e mutacionit u konfirmua pas analizave të kryera në Gjermani. Ndërkohë kryetarja e Komitetit të Ekspertëve deklaroi se në vend vijon të mbizotërojë varianti Delta. Rakacolli tha se situata epidemiologjike është paraqitur e qëndryeshme në dy javët e fundit.
“Siç në dijeni prej disa javësh në botë po qarkullon Omicron. Komiteti bën me dije se është konfirmuar dyshimi i specialistëve për praninë e Omicron edhe në Shqipëri me përgjigjen e ardhur nga laboratori në Gjermani. Megjithatë në Shqipëri vijon të mbizotërojë varianti Delta. Si jeni në dijeni situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme edhe në dy javët e fundit si në drejtim të rasteve të reja ditore edhe në drejtim të rasteve që kërkon trajtim spitalor“, tha Rakacolli.