Ambasada e Rusisë në Tiranë ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook se trupat e pajetë të 4 turistëve, të cilët u gjetën të vdekur në ambientet e një hoteli në Qerret të Kavajës, janë nisur mëngjesin e sotëm për në Moskë. Ndërkohë, ambasada thekson se për të përcaktuar vdekjen e turistëve mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë edhe në Rusi.
“Në mëngjesin e hershëm të 22 tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt.
Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre. Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”, mbyllet reagimi i ambasadës Ruse në Tiranë.