Presidentja e Urdhrit të Psikologut, Valbona Treska ka komentuar dhe analizuar vetëvrasjet seri tek spitalet COVID-19, ku vetëm dje u shënua dhe rasti i 5-të te ‘’Shefqet Ndroqi’’.
Treska thotë se ky fenomen tashmë është përhapur jo vetëm në spitale, por edhe në banesa në Shqipëri. Ajo thekson se kjo vjen nga stresi i lartë që po përjeton popullata shqiptare ku thekson se nga maji deri në nëntor niveli i tij është shumëfishuar tashmë.
Sa i përket spitaleve COVID, Treska konfirmon se Urdhri i Psikologut ka kërkuar që të ketë nga një psikolog për të paktën 1 ose 2 pavione. Gjithsesi sipas saj puna e psikologut në këto spitale nuk është e njëjtë si kushtet normale, e para pasi vetë disa psikologë nuk e përballojnë dot situatën, e dyta prej veshjeve që pamundësojnë komunikimin normal dhe e treta prej zhurmës së aparaturave trajtuese.
Treska kërkon nga çdo pacient me COVID-19 që të ketë një qasje më të butë emocionale ndaj virusit pasi ankthi dhe stresi vetëm sa dobëson imunitetin.