Dosja.al sjell videon ekskluzive ku shihet sesi kryeministri Edi Rama bëri për vete ish-ministrin e Drejtësisë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, i cili kaloi sot zyrtarisht me Partinë Socialiste. Në pamjet që mund të shihni në video, të xhiruara rreth një muaji më parë, kryeministri shihet i shoqëruar me ish-ministrin tjetër të LSI-së, Lefter Koka dhe Damian Gjiknurin teksa konsumojnë verë në një restorant.
Kryeministri e fton disa herë Nasip Naçon të takohet me ta dhe të konsumojë verë, ndërsa Koka i thotë kryeministrit se Naço është i pakënaqur me LSI-në, pasi në vend të tij do të garojë Elona Guri në qarkun e Beratit.
BISEDA E NASIP NACOS DHE RAMËS:
Edi Rama: Po ku je mo Nasip, ku je mo burrë, kaq partiak je, sa nuk vjen as të pish një gotë verë? Se ti je dhe qytetar… pi njeriu një gotë verë… apo ke hall se të shpallin armik. Ti s’je shpallur akoma po në listë je për t’u shpallur për armik… shihe pak këtë shihe (tregon me telefon Damian Gjiknurin që qesh).
Hë mo fol ti…
Lefter Koka: Ky është pak kështu, nuk ka kurajo…
Edi Rama: Jo mo kurajo ka ky, por ka atë burrninë që do ta vrasin njëherë në mexhelis. O Nasip…
Lefter Koka: E ka vrarë Lona, i kanë thënë të vënë Elona Gurin para këtij…
Edi Rama: O Nasip, raki Skrapari vëlla, na fto ndonjë ditë, të jesh mirë, të përshëndesim vëlla.
Paraditen e sotme, ish-ministri i Drejtësisë në mandatin e parë qeverisës me PS-në, Nasip Naço njoftoi largimin e tij nga LSI-ja për të kaluar me socialistët. Ai u shfaq me Blendi Klosin në Berat, ku prezent ishte edhe ish-lideri i LSI-së, presidenti i sotëm, Ilir Meta.