Qeveria ka miratuar trajtim financiar shtesë për punonjësit e Policisë së Burgjeve. Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj bëri me dije detajet e Vendimit të Këshillit të Ministrave që u miratua sot.
Një nga garancitë kryesore të parashikuara në nismën ligjore të Ministrisë së Drejtësisë të miratuar si ligj nr.80/2020 nga Kuvendi në qershor të vitit 2020 “Për Policinë e Burgjeve” ishte edhe krijimi i garancisë për barazimin e punonjësve të Policisë së Burgjeve me pagë dhe përfitime të tjera financiare shtesë, me punonjësit e Policisë së Shtetit, për shkak të natyrës së punës që ata kanë.
Sot, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin “Për trajtimin me pagë e shtesa mbi pagë dhe për procedurën e kompensimit financiar gjatë qëndrimit në punë të punonjësve të policisë së burgjeve”, i cili përcakton trajtimin me pagë, shtesën mbi pagë, si shtesa për natyrë të veçantë pune, ashtu edhe shtesa për çdo vit vjetërsie shërbimi, si dhe kompensimet e shpenzimeve të udhëtimit, kompensimi për qiranë e banesës ashtu edhe trajtimi me ushqim pa pagesë.
Në VKM e miratuar sot përcaktohet e drejta e përfitimit të kompensimeve të shpenzimeve të udhëtimit, në vlerë lekësh për muaj, bazuar në distancën në kilometra nga vendbanimi i punonjësit që fillon nga shuma 3,000 Lekë në muaj për distancën më të shkurtër prej mbi 36 km deri në 15,000 Lekë në muaj për distancën më të gjatë, 200 km kur punonjësi komandohet larg vendbanimit.
Në VKM e miratuar sot, përcaktohet gjithashtu edhe drejta e përfitimit të kompensimit për qiranë e banesës, kur punonjësi është transferuar apo komanduar. Ky përfitim është i njëjtë me punonjësit e policisë së shtetit dhe merret nga punonjësi i Policisë së Burgjeve që transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, për shkak të detyrës ose për nevoja pune, në rastet kur fjetja, transporti dhe ushqimi nuk sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Këtë kompensim punonjësi e përfiton nëse transferohet ose komandohet në largësi mbi 36 km.
Gjithashtu, në këtë VKM parashikohet edhe e drejta e kompensimit për ushqim, në rastet kur është i pamundur trajtimi me ushqim nga institucioni.
Miratimi i këtij Vendimi të Këshillit të Ministrave do të bëjë të mundur realizimin e një trajtimi më të mirë në pagë dhe në shtesa mbi pagë të punonjësve të Policisë së Burgjeve, në zbatim të legjislacionit përkatës.
Efektet Financiare dhe Përfitimet nga VKM
- Nga zbatimi i pagës bazë për gradë, për periudhën 07.08.2020 deri 30 nëntor 2020, shtesa është 42.3 milion lekë.
- Nga zbatimi i pagës bazë për gradë dhe i shtesës për vjetërsi shërbimi, efektet financiare për vitin 2021 për pagën bazë për gradën, si dhe efektet për shtesën për vjetërsi shërbimi që hyn në fuqi me datën 01 janar 2021, llogariten rreth 180 milion lekë.
- Nga zbatimi i shtesës për natyrë të veçantë pune, shtesë që do të fillojë zbatohet nga data 1 Janar 2022, efektet financiare llogariten rreth 120 milion lekë.
- Kosto totale e shtesës për gradë, shtesës për vjetërsi në punë dhe shtesës për natyrë të veçantë pune, për vitin 2022, llogariten rreth 306 milion lekë.
- Efektet financiare nga parashikimi për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit, kompensimit për qeranë e banesës si dhe të trajtimit me ushqim pa pagesë për punonjësit e Policisë së Burgjeve, që transferohen ose komandohen jashtë vendbanimit të tyre, llogariten rreth 20.8 milionë lekë në vit.
Padyshim që Vendimi i miratuar sot nga Këshilli i Ministrave është një premtim i mbajtur nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë Shqiptare në të mirë të punonjësve të Policisë së Burgjeve.
Sot një nisëm madhore e Ministrisë së Drejtësisë u realizua. Por Ministrja Gjonaj deklaron se sfidat janë të realizojmë çdo premtim në të mirë të punonjësve policorë dhe civilë të sistemit penitenciar dhe jemi shpresëplotë që edhe nismat e tjera do të finalizohen me të njëjtin sukses.