Tiranë-Shqiptari i parë që është vaksinuar me Pfizer është mjeku, Arjet Gega.
Mes personave të parë që kanë bërë vaksinën antiCovid në Amerikë është edhe mjeku, Arjet Gega, mjeku i sëmundjeve Infektive dhe asistent profesor në shtetin e Connecticut-it.
Ai tregon në një intervistë për Top Channel se u vaksinua si pjesë e planit të Qeverisë Federale për punonjësit e shëndetit që janë në kontakt me pacientët me Covid. Mjeku Gega thotë se nuk kishte asnjë pikëpyetje për të bërë vaksinën dhe u bën thirrje të gjithë shqiptarëve që janë kundër vaksinës, që të mos kenë asnjë mëdyshje.
“Nuk e prisnim të kishte kaq shumë efikasitet. Ka kaluar gjysmë dite, s’kam patur as dhimbjen e krahut që është e zakonshme me të gjithë vaksinat. S’kam patur as temperaturë dhe as ethe. Më pak se 10% e pacientëve kanë patur temperaturë, unë nuk kam patur. Duhet të mendojmë si ta fitojmë këtë betejë. Qesh kur dëgjoj ata që thonë do të na ndjekim me çip. Mesazhi im: Ju lutem vaksinohuni. Problemi është që vaksinat nuk janë të disponueshme, por kur të jenë, çdo shqiptar duhet të vaksinohet, pa asnjë mëdyshje dhe gjithnjë iu them atyre që lëshojnë mesazhe të painformuara jashtë fushës së tyre të ekspertizës se po rrezikojnë shëndetin e njerëzve dhe jetën”-tha Gega.