Bie ndjeshëm niveli i Vjosës dhe përmirësohet situata në Vlorë e Fier. Situata është normalizuar në fshatrat e Vlorës buzë Vjosës.
“Përmirësimi i motit ka sjellë ulje të prurjeve në lumin Vjosa, i cili dje përmbyti 17 banesa ndërsa aktualisht niveli është 6.6 metra, por që nuk paraqet rrezikshmëri. Në orët në vijim pritet ende një përmirësim i ndjeshëm i situatës. Edhe situata në qytetin e Vlorës është normalizuar. Trafiku detar i është kthyer normaliteti dhe trageti ka ardhur në orar. Ndërkohë ka nisur të bëhet bilanci i dëmeve të shkaktuara dje nga përmbytjet në fshatin Novoselë, Fitore dhe zona të tjera. Fatmirësisht nuk është përsëritur situata e vitit 2015 ku u përmbytën mbi 200 shtëpi”, raportohet në media.
Ndërkohë që dhe në fshatrat e Fierit, situata sot duket e qetë dhe banorët e evakuuar janë rikthyer në banesa.
Në terren po monitorohet situata dhe po bëhet bilanci i dëmeve, Ferrasi është një nga zonat më të goditura nga përmbytjet e Vjosës. Sipërfaqe të tëra toke ndodhen ende nën pushtetin e ujit. Aktualisht niveli i Vjosës është ulur në mënyrë të konsiderueshme, gjë që ka sjellë dhe rënien e nivelit në kanalet kulluese. Burime nga Shtabi i Emergjencave bëjnë me dije se dhe familjet e evakuara një ditë më parë janë kthyer në banesat e tyre. Në terren janë përfaqësues dhe punonjës të pushtetit lokal që po shohin nga afër situatën. Ndërkohë është paralajmëruar dhe një vizitë e kryeministrit Edi Rama gjatë ditës së sotme në zonat e prekura nga përmbytjet.