Tiranë- Pak ditë nga vrasja e Shkëlzen Kastratit në qendër të Fierit, policia ka shoqëruar tre persona të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Burime bëjnë me dije për gazetaren Valbona Davidhi se shoqërimi i tyre është bërë në bashkëpunim me policinë e Fierit.
Pas ekzaminimit të trupit të Kastratit, rezultoi se goditjet kanë qenë në pjesën e krahut, ndërsa një plumb e ka goditur në kokë, i cili i ka marrë edhe jetën. Mësohet se njërin plumb e ka në krah dhe tjetrin në ballë, pasi dyshohet se ka kthyer kokën në momentin e ngjarjes dhe ka parë autorin.
Edhe pse ende nuk ka një pistë të saktë, mendohet që hasmëria dhe konfliktet e vjetra mund të kenë çuar në ekzekutimin e 42 vjeçarit, vetëm pak metra larg biznesit të tij dhe në një rrugë që e frekuentonte pothuajse përditë.
Ngjarja ndodhi të hënën mesditë në rreth rrotullimin e Sheqit në Fier. Pas ngjarjes, autori është larguar me një makinë tip “Range Rover”, e cila u gjet më pas e djegur në fshatin Daullas të Fierit. Policia ka gjetur brenda makinës një armë tip “Scorpion” me silenciator, e cila dyshohet se është përdorur nga autori.