Laç- RENEA po bën sot kontrolle në disa banesa në Laç lidhur me vrasjen e Shkëlzen Kastratit në Fier më 1 shkurt. Kontrollet kanë nisur pasi policia dyshon se autorët mund të jenë fshehur në ato banesa.
Burime bëjnë të ditur se dy nga autorët dyshohet se fshihen në periferi të Laçit ndërsa dy të tjerë dyshohet se janë larguar drejt Kosovës.
Në kërkim në lidhje me këtë ngjarje janë katër persona, Elson Xheçuka, Roland (Silvio) Cara dhe Alber Zaja, Elmir Tufa. Dyshohet se ata janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë që e kanë ndjekur viktimën për afro dy muaj duke studiuar të gjitha lëvizjet e tij duke e qëlluar në një rrugë që nuk ka pasur kamera
Shkëlzen Kastrati, 40 vjeç u ekzekutua paraditen e 1 shkurtit pranë Rrethit në fshatin Sheq në Fier. Ai u qëllua nga një makinë tip Range Rover, që pas vrasjes u gjet e djegur te Mbikalimi i Baltzës.
Dyshohet se ngjarja lidhet me një përplasje të vjetër mes familjeve Binjaku dhe Kastrati, për shkak të përfshirjes së vëllait të tij, Klementit në një sagë hakmarrjeje me Ermal Binjakun. Në vitin 2016, një atentat i ngjashëm iu bë të vëllait tek Ura e Mbrostarit në Fier, por plumbat i mori shoku i tij, Denis Kasaj, i cili humbi dhe jetën.