Duket se 44-vjeçarja Miranda Markja, që vrau me thikë vjehrrën e saj kishte probleme të shëndetit mendor. Këto probleme i kanë vënë re dhe të afërmit e saj. Vajza dhe djali i xhaxhait të saj kanë treguar për gazetarin Enver Doçi se 10 muaj më parë ajo ka qenë në fshatin e tyre për disa ditë dhe ka shfaqur shenja depresioni, nuk hante dhe mbyllej në dhomë. Ata rrëfyen se pasi e kanë çuar në shtëpinë e saj, iu ka treguar burrit dhe njerëzve të tij se kishte nevojë për vizitë. Autorja e krimit ka vetëm një vëlla që jeton në Tiranë dhe në kushte të vështira ekonomike. Vrasja e 74-vjeçares Nazmije Markja ndodhi pasditen e djeshme, ndërsa krimi u fsheh për orë të tëra.
“Unë e kam vajzë xhaxhai atë që kreu krimin. Një vëlla ka në Tiranë, dhe ai është me probleme familjare, ka një vajzë të sëmurë dhe është i pamundur, nuk ka gjendje ekonomike që të vijë. Ajo është bijë Klloçishti, bija jonë. Ka dhënë shenja depresioni, kemi dyshuar që është e sëmurë. Ne e kemi konstatuar që 10 muaj këtu. Atë e di familja. Nuk dimë, atje brenda familjes se çfarë ka pasur nuk e dimë. Nuk na shfaqte ndonjë gjë, ne vetëm e shikonim që nuk kishte oreks, mbyllej në dhomë. Ato na dhanë të kuptonim që nuk ishte në rregull dhe e çuam në shtëpi. Ishte nja tre net këtu tek ne dhe e çuam atje se nuk na u duk mirë. I thamë kjo ka nevojë për një vizitë se nuk është mirë”, tha vajza e xhaxhait të autores.
“E kisha gocë xhaje nusen që vrau vjehrrën. Ka pasur probleme me shëndetin mendor. Ka ardhur te ne ka ndenjur nja 10 ditë dhe kur e çuam në shtëpi, e kemi çuar fshehtas se nuk donte të shkonte në shtëpi. Nuk e di pse. Nuk thoshte asgjë, vetëm se ndonjëherë humbte linjën.
Na thanë që ka vdek nëna e Shemsiut, por jo në çfarë rrethanash. Sot nuk morëm pjesë, si të merrnim, nuk na kishin lënë fëmija të shkonim atje. Si të shkonim. Do shkojmë pas nja dy ditësh. Ne s’kemi gjë konflikt. Kur ishte këtu nuk na ka thënë asgjë për vjehrrën dhe bashkëshortin. Ne e zbuluam para 10 muajsh që ishte në depresion, por më mirë duhet ta dinë ata. Jepte probleme, nuk hante”, u shpreh kushëriri i 44-vjeçares.