Komisariati Nr.3 në Tiranë është shndërruar në një vend krimi! Efektivi i policisë Ludjan Zaimi 25-vjeç ka qëlluar për vdekje 6 herë me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, 55-vjeç, të dy me detyrë oficerë të Patrullës së Përgjithshme. Saliasi u dërgua me urgjencë në spital, por për fat të keq ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:20 në ambientet e brendshme të komisariatit, konkretisht në zyrën e instruktazhit, pak para se të merrnin turnit.
Burime bëjnë me dije se janë konfliktuar edhe më herët, teksa referuar dëshmisë së 25-vjeçari, ai thotë se e qëlloi “pasi e tallte prej kohësh”.
Zaimi ka 1 vit e gjysmë në Policinë e Shtetit, e ndërsa viktima Çaush Saliasi mbi 20 vite karrierë me Uniformat blu. Në komisariatin Nr. 3 ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, si edhe një grup i posaçëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, përfshirë ekspertë të Drejtorisë së Standardeve Profesionale dhe nga Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike.