Përparim Ademi, i arrestuar për vrasjen që tronditi kryeqytetin paraditen e 31 dhjetorit 2020 në zonën e Astirit, ka tentuar t’i japë fund jetës në qelinë e paraburgimit.
Burime për MAPO saktësojnë se ngjarja ka ndodhur një ditë më parë. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e gardianëve dhe e mjekëve të burgut që ka mbajtur në jetë 59-vjeçarin.
Gjykata ka dhënë për të masën e arrestit me burg për Përparim Ademin, i akuzuar për vrasjen e bashkëjetueses së tij Zhaneta Metani dhe motrën e saj, Kristina Bardhi, duke përgjakur Vitin e Ri. Ai u arrestua nga policia disa orë më pas pranë shkollës “Vasil Shanto”.
Ngjarja e rëndë ndodhi për shkaqe xhelozie, pasi Zhaneta Metani i kishte kërkuar ndarjen Përparim Ademit. Raporte ai ka pasur edhe motrën e saj, Kristina Bardhi. Përparim Ademi ka një martesë të ligjshme me Vjollca Ademin e cila një ditë më parë pohoi se e dinte për tradhtinë e burrit si dhe mbante raporte shoqërore me motrat Metani për të mos prishur martesën.Prokuroria ka ngritur ndaj Përparim Ademit edhe një akuzë tjetër, atë të trafikut të fëmijëve pas akuzave nga vëllai i Zhanetës dhe Kristinës, Bashkim Metani, se 59-vjeçari kishte 10 fëmijë me motrat e tij, të cilët i kishin shitur në Greqi.