Prokuroria e Tiranës ndryshoi akuzën e ngritur ndaj punonjësit të Policisë Nevaldo Hajderaj, i cili vrau të riun Klodian Rasha një javë më parë në Tiranë.
Tashmë Hajderaj do të përballet me akuzën “vrasje me dashje”, dhe jo “vrasje në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes”, e cila ishte akuza e ngritur fillimisht nga ana e Prokurorisë.
Shkak për ndryshimin e kësaj akuze është bërë fakti se Hajderaj ka qëlluar dy herë me armë në drejtim të Rashës, dhe mes tyre nuk ka pasur një konfrontim që mund të justifikonte faktin e veprimit në kushtet e vetëmbrojtjes.
Prokuroria këmbëngul në versionin e saj se mes dy personave nuk ka pasur konflikt fizik, dhe fakti që Polici ka qëlluar dy herë, është në shkelje të plotë me ligjin e përdorimit të armëve nga punonjësi i Policisë.
Sipas Prokurisë nga kqyrja e kamerave të sigurisë, që sipas burimeve janë 60 të tilla, në aksin ku është zhvilluar ngjarja, tabloja e veprimeve të të dy personave është e qartë, dhe nuk lë vend për dyshime.
Filmimi tregon se polici ka qëlluar nga një pozicion i shtrirë, drejt Klodian Rashes. Këndi i goditjes se Klodian Rashës, ka qenë në gjatësinë e trupit të viktimes. Filmimi ka zbuluar se Klodian Rasha, është qëlluar nga polici teksa ishte duke u larguar me vrap në rrugicën që të çon në banesën e tij.
Ndërkohë, ajo që mbetet pa u konfirmuar ende, është arma që u gjet pranë vendit të ngjarjes, e që sipas Policisë në njoftimin fillestar, thuhej se i përkiste Rashës. Për ekspertët është bërë i vështirë identifikimi i gjurmëve të gishtave, për shkak se arma ka qëndruar pak kohë në një pellg me ujë, çka e bën të vështirë identifikimin.