Xherdan Shaqiri ka mbyllur aventurën me Liverpool për tu transferuar tek Lyon. Lojtarit të kombëtares zvicerane i është dhënë leja për t’iu nënshtruar ekzaminimeve mjekësor në Francë, ndërsa transferimi tani është një formalitet i thjeshtë pasi është gjetur akordi mbi kushtet personale. 29-vjeçari zhvilloi një Euro 2020 të mirë, duke shënuar tre gola, duke ndihmuar Zvicrën të arrinte në çerekfinale të turneut dhe ishte ai që kërkoi një lëvizje nga Merseyside pas turneut.
Shaqiri luajti 63 ndeshje për Liverpool, pas transferimit të tij për shumën e 13.75 milionë paund nga Stoke City në 2018, dhe do të mbahet mend me dashuri nga tifozët e Reds për dygolëshin e tij kundër Manchester United në Anfield në dhjetor 2018. Megjithatë, dëmtimet gjithnjë e kanë dëmtuar karrierën e tij në klube dhe fantazisti shqiptar vuajti shumë për të gjetur vazhdimësinë.
Liverpool do ta shikojë marrëveshjen si biznes të mirë, pavarësisht se oferta fillestare e Lyon ishte vetëm 4 milionë paund, duke gjetur akordin për shumën e 9.5 milionë paund. Klubi nuk ka gjasa të zëvendësojë Shaqirin në merkaton e transferimeve, duke i dhënë prioritet Harvey Elliott. 18-vjeçari, i cili përjetoi një huazim të suksesshëm te Blackburn sezonin e kaluar, bëri përshtypje kundër Burnley të shtunën në ndeshjen e tij të parë si titullar në Premier League. Ai ishte vendimtar në golin e dytë të Liverpool, të shënuar nga Sadio Mané, dhe Jürgen Klopp e sheh mesfushorin si një lojtar kryesor të skuadrës së parë për këtë kampionat.