TIRANE- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pranuar të regjistrojë në zgjedhje Partinë Social Demokrate të drejtuar nga Tom Doshi. Lajmi është bërë sot i ditur në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku u njoftua regjistrimi i 16 partive në zgjedhje, mes tyre edhe partia e drejtuar nga Doshi. Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi tha sot në mbledhje se dokumentacioni i PSD është në rregull dhe KQZ ka vendosur regjistrimin e tij në zgjedhje.
“Meqenëse dokumentacioni i paraqitur nga PSD për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor është në përputhje me parashikimin e Kodit Zgjedhor, vendosi regjistrimin e PSD si subjekt zgjedhor”-tha Celibashi.
Ky vendim i hap rrugë automatikisht edhe garimit të Doshit si kandidat për deputet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, në një kohë kur ambasadorja amerikane Yuri Kim e shënjestroi në publik si një person që nuk duhet të garonte në zgjedhje.
Kujtojmë se ambasadorja amerikane Yuri Kim shkruajti disa ditë më parë se Tom Doshi është në listën e zezë të DASH, duke u shprehur se shqiptarët meritojnë më shumë.
Në një postim të dytë, Kim shtoi se Edi Rama e kishte siguruar se ai nuk do të ketë rol në qeverinë që do të formojë pas zgjedhjeve.
“Në fakt, kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga Partia Socialiste. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në asnjë qeveri që Rama do të formojë”, do të shkruante Yuri Kim në Twitter.