TIRANE- Zbardher skema paraprake të atentatit në Lezhë, ku u ekzekutua polici Xhulio Prela, pjesë e repartit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Lezhë. Burime bëjnë me dije se rreth orës 01:20, Prela po kthehej nga Rinasi ku kishte përcjellë një të afërmin e tij në aeroport.
Më pas, ai është kthyer për në Lezhë me makinën e tij tip Volksvagen. Në këtë moment ai ka qenë në autostradën Milot-Lezhë, kur një automjet i është afruar dhe e ka qëlluar disa herë me armë zjarri.
Autorët më pas janë larguar, dhe rrugës janë pikasur në një kamion të verdhë, i cili është identifikuar, ndërsa i riu, ka ecur i plagosur duke i dhënë mjetit edhe 500 metra dhe më pas ka dalë nga rruga, në një parcelë buzë autostrade.
Ai u qëllua tri herë, por plumbi fatal ka qenë ai që e ka prekur afër zemrës, duke i prekur një nga artieret kryesore që i ka shkaktuar dhe vdekjen. Policia po heton për vrasje për shkak të detyrës.