Zbardhet vendimi i gjykatës për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Vendimi i Gjykatës së Lartë, argumenton se ka shkelje proceduriale gjatë gjykimit të Saimir Tahirit dhe ish-drejtorit Jaeld Celës.
Sipas Gjykatës, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që s’mund të merrnin pjese në gjykim.
Në argumentet e saj, gjykata thekson se prokuroria i dha fakteve penale cilësim të ndryshëm nga akuza. Sipas saj, gjykata gaboi pasi nuk i dha mundësinë Tahirit të mbrohej për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndonëse sipas ligjit mund të bëjë rikualifikim ndryshe të veprës penale, por duke i dhënë mundësinë të pandehurit të paraqesë argumentet e tij.
Tashmë çështja e Tahirit do të rigjykohet nga Shkalla e Dytë e cila do të marrë një vendim përfundimtar, por kësaj radhe nga një tjetër trupë gjykuese. Dënimi i fundit që mori Tahiri ishte me 5 vite burg i konvertuar në 3.4 vite shërbim prove. SPAK e ka akuzuar për trafik droge, por deri më tani ish-ministri i Brendshëm është dënuar vetëm për shpërdorim detyre dhe asnjë nga 3 akuzat e tjera të ngritura nga Prokuroria.