Katër muaj përpara zgjedhjeve, Lulzim Basha ka vendosur se cilët do të jenë disa prej drejtuesve politikë në qarqe. Burime për Report Tv konfirmojnë se në Shkodër është caktuar Helidon Bushati, ndërsa në qarkun e Fierit, caktohet Enkelejd Alibeaj, të cilësuar edhe si karta të ‘djegura’ politikisht.
Gjatë ditës së sotme, Bushati do të prezantohet në kryesinë e qarkut Shkodër ku do të marrë dhe detyrën e re, për organizmin e zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Do të jetë sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi që do të prezantojë në Shkodër Helidon Bushatin. Ndërsa Enkelejd Alibeaj do të prezantohet ditën e nesërme për qarkun e Fierit.
Ish-deputeti i PD-së, Helidon Bushati në 2017 pranoi që të largohej nga lista e Shkodrës, por Lulzim Basha e rikthen duke i besuar fushatën në qarkun më të madh të veriut.
Enkelejd Alibeaj, ish deputet i Fierit, i është besuar ky qark nga kryedemokrati Basha për të zhvilluar fushën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare 2021. Më herët PD ka caktuar në Vlorë,Bujar Leskaj, ndërsa pritet dhe caktimi i drejtuesve në 9 qarqet e tjerë.
Vendimi për të përcaktuar drejtuesit e qarqeve, ka qenë një vendim që nga shumë persona është konsideruar i vonshëm, por kryedemokrati ka zgjedhur që të mos i prezantojë të gjithë përnjëherë, por të marrë kohën e tij dhe t’i caktojë një e nga një.