Një shqiptar me banim në Fucecchio, Firenze, po hetohet nga autoritetet italiane në lidhje me zhdukjen e ruses Kristina Novak, e cila nuk është parë prej dy muaj e gjysmë.
Shqiptari banon pak kilometra larg vendbanimit të ruses dhe e ka përshkuar disa herë me taksi rrugën para shtëpisë së saj, duke i thënë edhe një fqinje se kërkonte një ruse që banonte aty pranë.
Më pas, ai është takuar me Kristinën, e cila është parë teksa i jepte para.
29-vjeçarja u pa për herë të fundit më 2 nëntor në Orentano, provincë në Piza, dhe nëna e saj dha alarmin përmes një videoje, në të cilën thoshte se e bija zakonisht e telefononte të paktën dhjetë herë në ditë dhe heshtja nuk ishte e justifikuar.
Ekziston edhe dyshimi se Novak mund të jetë vrarë apo rrëmbyer si shenjë paralajmërimi për të dashurin e saj, i cili është në burg për armë e drogë.
Sipas familjarëve, 29-vjeçarja mund të ketë përfunduar në shënjestrën e atyre që kanë dashur të hakmerren për të dashurin e saj. Ata druhen se ajo mund të mos jetë më gjallë. Gjatë këtyre ditëve, teknikët e policisë kanë kontrolluar ruterin e internetit të shtëpisë, për të identifikuar personat që kanë hyrë në vilë dhe janë lidhur me rrjetin.
Avokati i vajzës dhe i nënës së saj pohon për ‘Storie Italiane’ që Prokuroria e Pizës po shqyrton çdo mundësi.