Tiranë- Tire Alldervishi, sanitarja që u shtir si infermiere dhe zhvati tetë milionë lekë nga vajza e një zonje të infektuar nga Covid-19, e cila më pas ndërroi jetë, do të njihet sot me masën e sigurisë. Një ditë pas arrestimit të saj, sanitarja do të dalë para trupit gjykues, ku do të mësojë fjalën e togave të zeza.
Dosja.al ka mësuar se Alldervishi në dëshminë e saj as nuk ka mohuar dhe as nuk ka pohuar përfshirjen e saj në skandalin e denoncuar dy ditë më parë në emisionin “Stop”. Ajo mësohet të jetë shprehur përpara hetuesve se është e tronditur, por që do të flasë në një moment të dytë në lidhje me ngjarjen.
“Nuk kam asgjë për të thënë jam e tronditur, do flas në një moment të dytë,” mësohet të ketë thënë Alldervishi para hetuesve.
Sanitarja u vu në pranga një ditë më parë, ndërkohë që katër persona të tjerë janë pjesë e stafit të spitalit “Shefqet Ndroqi” janë vënë në hetim, pasi dyshohet se kanë bashkëpunuar me të.