LEZHË– Fabrika e përpunimit të peshkut ‘Eurofish’ në Lezhë u shkrumbua nga flakët e zjarrit. Biznesi u përfshi nga flakët në orën 06:00 të mëngjesit të sotëm, e shkak i saj fillimisht dyshohet se mund të ketë qënë automatët e energjisë elektrike. Në atë orë, punonjësit e fabrikës, të cilat janë rreth 500 në numër, ende nuk kishin mbërritur në punë, për të nisur aktivitetet rutinë. Fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk mbeti i lënduar. Mirëpo një zjarrfikës është asfiksuar si pasojë e tymit, teksa po punonte për të shuar flakët që kanë ‘pushtuar’ fabrikën e peshkut në Lezhë. Ai është marrë nga ambulanca dhe është dërguar me urgjencë në spital, teksa nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.
Flakët vijojnë të shkrumbojnë çdo gjë prej më shumë se një ore tashmë, ndërsa situata është mjaft e rrezikshme për shkak se vetëm pak metra më lart ndodhen edhe disa bombola gazi.
Zjarri i madh në zonë, solli fillimisht bllokimin e lëvizjeve në superstradën Lezhë-Laç. Policia doli më pas me një njoftim zyrtar duke bëtrë të ditur se trafiku tashmë është devijuar në qytet dhe në rrugë dytësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të zbuluar detaje të mëtejshme.